Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ceremoniale ndërkombëtare e shpallur nga UNESCO në vitin 1999 dhe festohet çdo vit më 21 shkurt. Qëllimi i saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor dhe kulturor, si dhe për shumëgjuhësinë.
Dokumenti 16/C i UNESCO-s nga viti 1970 thekson:
“Gjuha amtare shënon rrugën e qenies njerëzore; përmes saj, njeriu hyn në shoqëri, ndërton kulturën e grupit të cilit i përket dhe vendos bazat për zhvillimin e aftësive të tij intelektuale.”
Dita 21 shkurt është njohur zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar protestat e studentëve të Universitetit të Dhakës me origjinë bengaleze. Këta studentë u përballën me forcat policore pakistaneze teksa protestonin për të drejtën që gjuha bengaleze të njihej si gjuhë zyrtare.
Që nga shpallja e saj nga UNESCO në vitin 1999, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit në mbarë botën me aktivitete të ndryshme, si manifestime dhe organizime në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me synimin për të ruajtur dhe promovuar gjuhët amtare.
Gjuha është një pjesë e pandashme e identitetit të një populli, përmes së cilës shprehet shpirti dhe kultura e tij. Zhvillimi dhe ruajtja e gjuhës, mënyra e të folurit, dashuria dhe promovimi i saj pasqyrojnë në të vërtetë nivelin e kulturës brenda një shoqërie.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare! Le të ruajmë, promovojmë dhe duam gjuhën tonë, pasi ajo është pasqyra e identitetit dhe kulturës sonë! 🌍📚