Zyra për Çështje të Komuniteteve, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), organizoi sesionin e parë informues rajonal në Prishtinë dhe prezantoi platformën e zyrës. Platforma e Zyrës për Çështje të Komuniteteve është produkt i projektit “Përkrahja e institucioneve dhe komuniteteve për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse” që zbatohet nga IOM dhe mbështetet nga Ambasada Zvicerane dhe Britanike në Kosovë. Sesioni informues u organizua më 30 korrik 2024, në hotelin Garden, ku morën pjesë rreth pesëdhjetë përfaqësues të institucioneve lokale dhe të sektorit joqeveritar nga rajoni i Prishtinës (Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Shtime). Gjatë diskutimit rreth informacioneve të disponueshme në platformë, pjesëmarrësit dhanë rekomandimet e tyre dhe ndanë përshtypjet e tyre, të cilat janë të një rëndësie të madhe për punën e mëtejshme të platformës dhe rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit me komunitetet joshumicë për arritjen e qëllimit për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Sesione informuese do të organizohen edhe në rajonin e Pejës, Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit, ndërkohë që qytetarët si dhe sektori joqeveritar inkurajohen të përdorin platformën, të regjistrohen në platformë dhe të përdorin shërbimet e platformës.







