Zyra për Çështje të Komuniteteve uron të gjitha gratë nga të gjitha komunitetet joshumicë Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dhe t’i bashkojmë forcat për të luftuar për barazi gjinore dhe një jetë më të mirë dhe më të bukur për të gjithë ju!
Ne festojmë 8 Marsin si simbol i luftës për barazinë e grave dhe të drejtat e tyre. Kjo ditë i ka rrënjët në lëvizjen punëtore të fillimit të shekullit të 20-të, kur gratë në mbarë botën luftuan për kushte më të mira pune, të drejtën e votës dhe paga të barabarta. Dita e parë zyrtare e gruas u festua në vitin 1909 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ideja e një feste ndërkombëtare lindi në Evropë, falë iniciativës së Clara Zetkin. Në vitin 1977, Kombet e Bashkuara njohën zyrtarisht 8 Marsin si një ditë kushtuar të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Sot në mbarë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas për të na kujtuar sukseset e arritura, por edhe sfidat me të cilat ende përballen gratë në luftën e tyre për barazi. Lufta e gruas vazhdon në vendin tonë për të drejtën e arsimimit, të drejtën e përfaqësimit në vendimmarrje dhe politikë dhe çdo vit, pavarësisht suksesit të arritur, është e nevojshme të vazhdohet lufta për një pozitë më të mirë të gruas në shoqërinë tonë!
Me respekt, ZÇK
(Zyra për Çështje të Komuniteteve)