Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, u bëjnë thirrje qytetarëve që të regjistrohen ose të verifikojnë adresën e tyre të banimit. Thirrjen mund ta gjeni në linkun në vijim; https://mpb.rks-gov.net/f/57/7923/-Njoftim-per-funksionalizimin-e-sherbimit-%EF%BF%BDDeklarimi-i-Adreses-Zyrtare-te-Vendbanimit
Ky detyrim vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe që nga 1 gushti i këtij viti, është një kusht themelor për përdorimin e shërbimeve të ndryshme publike përmes platformës e-Kosova, si dhe në institucionet komunale.
Sipas të dhënave në faqen e internetit të AKK, deri në fund të gushtit 2025, më shumë se 480.000 qytetarë e kanë regjistruar tashmë adresën e tyre, ndërsa procesi i regjistrimit është ende në vazhdim.
Regjistrimi ose verifikimi i adresës mund të bëhet në dy mënyra:
- Përmes platformës e-Kosova, qytetarët hyjnë në llogarinë e tyre, zgjedhin seksionin “Adresa” dhe plotësojnë informacionin e kërkuar.
- Direkt në zyrën komunale – qytetarët mund të kontaktojnë zyrtarët e gjendjes civile ose të kadastrës, ku do t’u ofrohet ndihmë në procesin e regjistrimit.
Regjistrimi ose verifikimi i adresës do të mundësojë:
- qasje të papenguar në dokumentet e gjendjes civile (ekstrakte, certifikata dhe vërtetime) nëpërmjet e-Kosova ose personalisht në zyrat komunale të gjendjes civile,
- organizim më të mirë të shërbimeve publike lokale dhe shtetërore,
- qasje më efikase në shëndetësi, arsim dhe shërbime postare,
- evidentime të azhurnuara të vendbanimit të qytetarëve.
Për informacione shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë Kadastrale të Kosovës nëpërmjet email-it akk@rks-gov.net ose telefonit +383 (0)38 512 353, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme në +383 (0)38 200 76 572.