Zyra për Çështje të Komuniteteve mblodhi përfaqësuesit e zyrave komunale për komunitete dhe kthim për të diskutuar për problemet dhe nevojat e bashkëqytetarëve të tyre nga komunitetet joshumicë. Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Emilia Rexhepi dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqin, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të pjesëmarrësve.
Kryeministri Kurti e filloi fjalën e tij me deklaratën e presidentit të tretë të SHBA-së, Thomas Jefferson, se “Qeveria më e mirë është ajo që është më afër popullit”. Më pas ai shtoi se “për të qenë sa më afër popullit na duhen struktura dhe individë të angazhuar në nivel lokal, prandaj jemi mirënjohës që ju kemi ju si zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim, pranë qytetarëve në komunat tona.”
Kryeministri ndau me ta edhe informacione për planet e qeverisë si dhe masat e marra deri tani në ndihmë të secilës komunë. Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për regjistrimin e planifikuar të popullsisë dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve.
Ministri Rashiq ndau informacione për punën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, se si të shfrytëzohen tre milionë eurot e marra nga qeveria, e cila kishte për qëllim rritjen e mirëqenies së komuniteteve joshumicë.
Në fund, në këtë takim u diskutua edhe për sfidat dhe mundësitë e identifikuara për bashkëpunim për fushatën informuese për liberalizimin e regjimit të vizave.
Përfaqësuesit e zyrave komunale për komunitete dhe kthim shprehën mirënjohjen e tyre për interesimin e qeverisë për t’i dëgjuar dhe se takime të tilla do të ishin shumë të dëshirueshme edhe në të ardhmen.
Më shumë informacione rreth këtij takimi mund të shihni në vegëzën e mëposhtme: