Zyra për Çështje të Komuniteteve ka mbështetur grupin punues ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, i cili ka përgatitur një plan me aktivitete që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj dukurie. Prezantimi i këtij plani u organizua më 7 qershor 2024 në Hotel Sirius, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministër i Rinisë, Kulturës dhe Sport, Sylejman Elshani, Zyra përfaqësuese për qeverisje të mirë, Habit Hajredini, këshilltarë të kryeministrit nga komunitetet, përfaqësues të mediave, si dhe zëvendës të kryetarëve të komunave, përfaqësues të zyrave komunale për komunitete dhe kthim, përfshirë zyrat për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si KFOR-i dhe OSBE-ja, si dhe përfaqësues të organizatave vendore.
Të pranishmit patën mundësinë të shkëmbejnë përvojat, si dhe sugjerimet, që duhet të përfshihen në këtë plan veprimi për zgjidhjen e këtij problemi, i cili sipas hulumtimeve dhe të dhënave të fundit tregon rreth 200 raste në vit. Ky është vetëm një nga hapat drejt zgjidhjes së këtij problemi dhe grupi punues në periudhën e ardhshme do të vizitojë çdo komunë me popullatë të konsiderueshme rome, ashkali dhe egjiptianë, ku së bashku me të gjithë zyrtarët kompetentë në komunën përkatëse do të diskutojnë për praninë e martesave të hershme, si dhe mënyrat për parandalimin e saj.
Kryesuese e grupit punues për parandalimin e martesave të hershme dhe këshilltare e kryeministrit është Elizabet Goving, të cilën mund ta kontaktoni nëse keni përvoja, sugjerime, në e-majl: Elizabeth.k.goving@rks-gov.net
Në fund, përfaqësuesi i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Besart Tasholi, ndau informacione për mundësitë që qeveria u ofron të gjitha komuniteteve joshumicë, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e martesave të hershme dhe braktisjes së shkollës së fëmijëve, veçanërisht nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Një nga mënyrat për t’u informuar për të gjitha këto mundësi është përmes Platformës së Zyrës për Çështje të Komuniteteve(https://zck-kpz-platform.rks-gov.net/sr/naslovna), e cila ofron informacione për thirrjet dhe mundësi të ndryshme për ndikim pozitiv ekonomik dhe social.
Në vazhdim gjenden fotografitë nga manifestimi: