Search
Close this search box.

Takimi për zgjidhjen e çështjes së pezullimit të shtesave për fëmijë për komunitetin serb

Pas takimit të Këshillit Konsultativ për Komunitete, i mbajtur më 26 qershor 2025, në të cilin anëtarët e Këshillit, përfaqësues të komunitetit serb, shprehën shqetësimin për pezullimin e pagesës së shtesave për fëmijë nga Ministria e Financave, më 4 korrik, me iniciativën e Presidentes, znj. Vjosa Osmani Sadriu, përfaqësuesja e kabinetit të Presidentes në Këshill, znj. Donika Kadaj, së bashku me Sekretaren e Këshillit znj. Nafiye Gaş, kanë mbajtur takim me Kryeshefin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Avni Kastrati, lidhur me këtë çështje.

Për të siguruar regjistrimin e çdo qytetari, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka nisur në kohë një fushatë sensibilizuese në gjuhën serbe dhe ka bërë përpjekje maksimale për të inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit serb në regjistrim. Si alternativë, është ofruar mundësia e regjistrimit në zyrat komunale të Agjencisë së Statistikave, si në veri, ashtu edhe në jug të vendit. Megjithatë, as atje pjesëtarët e komunitetit serb nuk janë regjistruar, duke mos figuruar në bazën e të dhënave si banorë rezidentë.

Për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunitetit serb, edhe pse Ligji parashikon sanksione për refuzimin e regjistrimit, Agjencia e Statistikave ofron mundësinë që deri më 31 gusht 2025, qytetarët të paraqiten në selinë qendrore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në Prishtinë, në Zyrën për regjistrim, dhe të regjistrohen më pas në bazën e të dhënave.

Për regjistrimin e suksesshëm, pjesëtarët e komunitetit serb duhet të paraqiten personalisht me anëtarët e familjes, të kenë me vete dokumentet personale, një dëshmi të vendbanimit (faturë e rrymës, uji, ose tatimi), dhe për fëmijët, pasaportë ose certifikatë lindje.

Për të siguruar që procesi i regjistrimit për komunitetin serb të përfundojë në kohë dhe pa komplikime të mëtejshme, është e nevojshme që, së bashku me partnerët  ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile të realizohet një fushatë senzibilizuese në komunitetin serb.

Sekretariati, së bashku me anëtarët e Këshillit nga komuniteti serb, do të informoj shoqërinë civile nga komuniteti serb, e cila duhet të marrë një rol aktiv në këtë fushatë.

Sipas z. Kastratit, sensibilizimi i popullsisë dhe fushatat informuese janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sidomos kur merret parasysh se problemi i mos‑pagesës së shtesave për fëmijë mund të shtrihet edhe në mos‑pagesën e pensioneve për ata qytetarë që nuk kanë marr pjesë në regjistrim dhe që nuk figurojnë në bazën e të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Share:

Latest posts