Për ofrimin e mbështetjes financiare për projektet/programet e OJQ-ve për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë, si dhe për Mediat që kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.
Zyra për Çështje të Komuniteteve/Zyra e Kryeministrit u bënë thirrje:
Organizatave jo-qeveritare të Regjistruara në Republikën e Kosovës, që synojnë të kontribuojnë në punësim, angazhim të praktikës dhe organizimin e trajnimeve për komunitetet jo-shumicë që jetojnë në Kosovë me theks të veçantë tek gratë, të rinjtë, personat me aftësi të veçanta si dhe grupet tjera të margjinalizuara, të aplikojnë për mbështetje financiare;
Mediave, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e të drejtave të komuniteteve, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve; si dhe
Prioritet kanë OJQ-të/Mediat jo vetëm që punojnë për komunitet por që kanë bazë në komunitet.
Programi për financim të aktiviteteve nga OJQ-të që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë ka për qëllim t’i aftësoj dhe t’i bëjë konkurrues në tregun e punës pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë të cilët do të pajisen me njohuritë e nevojshme për të qenë të aftë për punë dhe mundësi të reja.
Programi për financim të aktiviteteve nga Mediat që kanë për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve do të zbatoj misionin e ZÇK-së. Misioni i zyrës është që të gjitha komunitetet në Kosovë t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara për të gjithë qytetarët sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe të drejtat shtesë që u’a mundësojnë atyre ruajtjen e identitetit dhe kulturës së tyre si dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë kosovare.
Të drejtë aplikimi me projekt/propozime në këtë thirrje publike kanë OJQ-të dhe Mediat që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i profilizuar në fushën përkatëse.
OJQ-të dhe Mediat mund të aplikojnë si në vijim:
- Kategoria e parë: OJQ-të që kontribuojnë në ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë;
- Kategoria e dytë: Mediat që kontribuojnë në Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve jo-shumicë në Kosovë;
OJQ-të në përputhje me kategorinë e parë në këtë thirrje publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për fushat prioritare në vijim:
- Angazhimi i praktikantëve për mbajtjen e praktikës në institucione dhe organizata të ndryshme;
- Organizimi i trajnimeve për soft skills;
- Rrjetëzimi profesional;
- Trajnime për fusha të ndryshme të zejtarisë duke përfshirë por mos u kufizuar në trajnime për frizer, rrobaqepësi, zdrukthtari, auto mekanik etj, si dhe angazhimi i praktikantëve në këto biznese;
- Trajnime për kodim;
Të tjera.
Organizatat jo-qeveritare për kategorinë e parë mund të aplikojnë me një projekt që kontribuon në angazhimim të praktikës dhe organizimin e trajnimeve për Komunitetet në Kosovë, përmes aktiviteteve si më poshtë:
- Aktivitetet që kanë të bëjnë me angazhimin e praktikantëve duke investuar në aftësimin dhe përfitimin e njohurive të nevojshme për tu inkuadruar në tregun e punës ku prioritet do të kenë gratë, të rinjët, personat me aftësi të veçanta si dhe grupet tjera të margjinalizuara brenda komuniteteve jo-shumicë;
- Aktivitetet qe kanë të bëjnë me organizimin e trajnimeve me të cilat do të nxisin, zhvillojnë dhe ndërtojnë kapacitetet e komuniteteve për tu bërë konkurrues në tregun e punës si dhe të pajisen me njohuritë e nevojshme për të qenë të aftë për punë dhe mundësi të reja punësimi;
- Aktivitetet qe kanë të bëjnë me krijimin e një rrjeti profesional ku do të ofrohet organizimi i aktiviteteve të përbashkëta të anëtarëve të grupit të rrjetit dhe do të mund të ndahen informacione mbi mundësitë e punësimit ose trajnimit, si dhe për të ndihmuar njëri tjetrin në zgjidhjen e problemeve të lidhura me punën
- Vëmendjen e shtuar rreth çështjeve të ndërlidhura me femrat nga komunitetet (për shembull, shkalla më e lartë e përfshirjes së femrave në punësim, praktikë dhe trajnime.)
- Aktivitete që synojnë avancimin e politikave qeveritare në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve sa i përket punësimit;
- Aktivitete për zhvillimin e mundësive ekonomike për komunitetet dhe/apo pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë respektivisht aftësimi i tyre në gjenerimin e të hyrave;
Mediat në përputhje me kategorinë e dytë në këtë thirrje publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për fushat prioritare në vijim:
- Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve dhe forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit në mes të Organizatave Jo-Qeveritare, Mediave, bashkëpunimit me akterët e tjerë, në veçanti me institucionet që veprojnë në fushën e promovimit dhe mbrojtjes të të drejtave dhe interesave të komuniteteve;
- Promovimi dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit në mes të pjesëtarëve të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përmes organizimit të aktiviteteve me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve.
Mediat mund të aplikojnë me një projekt që kontribuon në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve, përmes aktiviteteve si më poshtë:
- Aktivitetet që kanë për qëllim nxitjen e autoriteteve lokale, institucionet publike dhe akterëve tjerë për bashkëpunim me shoqërinë civile në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve;
- Aktivitete që synojnë avancimin e politikave qeveritare në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve;
- Aktivitete mentorimi dhe trajnimi i stafit të OJQ-ve lokale që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të komuniteteve;
- Aktivitete për përmirësimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive të punonjësve dhe vullnetarëve të OJQ-ve për avokim dhe fuqizimin e të drejtave të komuniteteve;
- Aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të komunave për zbatimin e politikave që kanë të bëjnë me komunitetet jo-shumicë;
- Aktivitete për ngritjen e mekanizmave të qëndrueshëm të angazhimit ndërmjet autoriteteve komunale dhe organizatave të shoqërisë civile;
- Aktivitete për promovimin e identiteteve jo-shumicë, kulturës, religjionit dhe gjuhëve;
- Aktivitete për zhvillimin e mediave të reja dhe forcimin e mediave ekzistuese të komuniteteve;
- Aktivitete për mbështetjen për qasjen në arsim për pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë, si dhe ndërveprimin ndërmjet nxënësve dhe studentëve nga komunitetet e ndryshme;
- Aktivitete për zhvillimin e mundësive ekonomike për komunitetet dhe/apo pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë respektivisht aftësimi i tyre në gjenerimin e të hyrave;
- Aktivitete për angazhimin e pjesëtarëve të komuniteteve, organizatave relevante nga shoqëria civile, mediave dhe akterëve nga niveli qendror i qeverisë në ushtrimin e aktiviteteve për përmirësimin e kualitetit të jetës së komuniteteve jo-shumicës;
- Aktivitete për angazhimin e shoqërisë civile, përfaqësuesve të qeverisë komunale, dhe/apo mediave në identifikimin e problemeve specifike të komuniteteve dhe në zhvillimin e propozimeve konkrete vepruese për përmirësimin e gjendjes në nivel lokal.
Për mbështetje financiare publike për projektet/programet sipas kësaj Thirrje publike për Organizatat joqeveritare për kategorinë e parë është paraparë shuma në dispozicion në vlerë prej 250,000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) euro ndërsa për Mediat për kategorinë e dytë është paraparë shuma në dispozicion në vlerë prej 100,000 (njëqind mijë) euro.
Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt propozim të OJQ-ve për kategorinë e parë është 5,000 (pesë mijë) euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) euro. Në rast të partneritetit me një organizatë tjetër, shuma maksimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet është 20,000 (njëzetë mijë) euro. Sipas planit të financimit do të mbështeten deri në 20 projekte.
Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt propozim të Medias për kategorinë e dytë është 6,000 (gjashtë mijë) euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 10.000 (dhjetë mijë) euro. (Sipas planit të financimit do të mbështeten deri në 13 projekte)
Të gjitha Projektet nga kategoria e parë dhe e dytë mund të financohen në shumën 100% të totalit të kostove të pranueshme të projektit.
Poashtu, aplikantët mund të sigurojnë bashkëfinancim nga burime tjera të financimit.
Është obligative që në çdo formë të aplikimit të përcaktohet se cilit komunitet i dedikohet projekt propozimi dhe nga buxheti i cilit komunitet kërkohet të ndahen mjetet.
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është pesëmbëdhjete (15) ditë pune dhe përfundon me datën 29.11.2024 në ora 16:00.
Periudha e zbatimit të projektit është më së shumti tre (3) muaj.
Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të dhe Mediat që janë të regjistruara në bazë të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës së paku 2 vite para datës së publikimit të thirrjes publike.
OJQ-të aplikuese duhet të dëshmojnë se programi i tyre kontribuon në punësim, angazhim të praktikës dhe organizimin e trajnimeve me theks të veçantë tek gratë, të rinjët, personat me aftësi të veçanta si dhe grupet tjera të margjinalizuara brenda komuniteteve jo-shumicë që jetojnë në Kosovë, ndërsa Mediat aplikuese duhet të dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve.
OJQ-të/Mediat duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës dhe në përputhje me rregullat e kontabilitetit si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.
Para nënshkrimit të kontratës, OJQ/Media duhet të paraqesë provat sinë vijim:.
- Certifikatë nga Administrata Tatimore e Kosovës në lidhje me gjendjen e borxhit publik të aplikuesit dhe partnerëve që vërteton se organizata nuk ka borxh, dhe në rast se ka borxh publik, duhet të paguhen para nënshkrimit të kontratës. (kopje);
- Dëshmi se OJQ-ja juaj nuk është ne procedurë të shuarjes apo çregjistrimit (Origjinal ose kopje e noterizuar);
- Dëshmi të dorëzimit të deklaratës vjetore tatimore ose pasqyrave financiare për vitin paraprak të dorëzuara sipas kërkesave të legjislacionit tatimor për vitin paraprak;
- Deshmi se personi përgjegjës (personi i autorizuar) në OJQ/Media nuk është nën hetime për vepra penale (Origjinal ose kopje e noterizuar).
Organizatat Joqeveritare që janë në partneritet duhet të paraqesin provat e njëjta secili veç e veç në mënyrë që të mund të nënshkruajnë kontratën.
Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në faqen e internetit të ofruesit të mbështetjes financiare https://kryeministri.rks-gov.net/
Aplikimi origjinal duhet të dërgohet me postë ose personalisht. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të shënohet emri i thirrjes publike dhe njëra nga kategoritë që aplikoni së bashku me emrin e plotë dhe adresën e aplikuesit dhe shënimin “Të mos të hapet para takimit të Komisionit Vlerësues”
Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen me postë ose personalisht, në adresën e mëposhtme:
Zyra për Çështje të Komuniteteve / Zyra e Kryeministrit, kati VI, Zyra nr.606.
Sheshi Nëna Terezë pa nr.
10 000 Prishtinë.
Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendarin tregues i zbatimit të thirrjes janë të detajuara në Udhëzimet për aplikuesit e thirrjes publike.
Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: zck-kpz-grants@rks-gov.net
OJQ-të dhe Mediat të cilat nuk kanë raportuar ose kanë vonuar raportet e tyre në dy vitet e fundit nuk kanë të drejtë aplikimi në këtë thirrje publike.
Aplikimi i OJQ-ve dhe Mediave do të konsiderohet i plotë nëse përmban të gjitha format e aplikimit dhe anekset e detyrueshme siç kërkohet në thirrjen publike dhe dokumentacionin e thirrjes publike.
OJQ-të aplikuese për kategorinë 1 duhet të plotësojnë formularët si në vijim:
- Formulari i projekt-propozimit;
- Formulari i propozim Buxhetit te Projektit;
- Formular i deklaratës së partneritetit (nëse aplikohet në partneritet);
- Forma e deklaratës për financimin e dyfishtë;
- Forma e deklarimit të projekteve apo programeve të OJQ-ve të financuara nga burimet publike të financimit;
- Kopja e Certifikatës së regjistrimit të OJQ-së;
- Kopja e Certifikatës së Numrit Fiskal;
- Dokumentacioni ne formë elektronike (në CD) i cili duhet të ketë të njëjtën përmbajtje, pra të jetë identik me dokumentacionin e dërguar ne formë fizike.
Mediat aplikuese për kategorinë 2 duhet të plotësojnë formularët si në vijim:
- Formulari i projekt-propozimit që shkarkohet nga Web faqja e Zyrës së Kryeministrit;
- Formulari i propozim Buxhetit te Projektit;
- Dëshmi që Mediat kanë programin në njërin nga gjuhët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi;
- Certifikata e regjistrimit të mediave në organin kompetent të Republikës së Kosovës, apo certifikata e regjistrimin si OJQ;
- Certifikata e numrit fiskal;
- Letërnjoftimi i vlefshëm i udhëheqësit të medias ose personit të autorizuar, i lëshuar nga organi kompetent i Republikës së Kosovës;
- Raporti i fundit gjashtë (6) mujor i llogarisë bankare të medies;
- Dokumente ose prova të burimeve të financimit/mbështetjes nga donatorët e tjerë (Forma e deklaratës për financimin e dyfishtë);
- Dokumentacioni në formë elektronike (në CD) i cili duhet të ketë të njëjtën përmbajtje, pra të jetë identik me dokumentacionin e dërguar në formë fizike.